Alarmi për trajnerin Panuçi, Kombëtares i mungon një “as” që zgjidh ndeshjet

Është thënë e stërthënë, kur vjen puna për Kombëtaren shqiptare, që mungon një “yll”. Nëse edhe në kombëtaret që janë në rajon apo edhe në ato elitare evidentohet shpesh një talent apo njëri që di të nxjerrë gol, për kuqezinjtë mungon ai që mund të zgjidhë një ndeshje apo “njeriu gol”.

PARADOKSI – Ndër vite, kuqezinjtë kanë pasur një lider si Cana apo edhe të tjerë përpara tij që udhëhiqnin grupin, por ky i fundit bënte diferencën. Forca e grupit dhe bashkësia e të gjithëve ka sjellë ato arritje dhe rezultate të deritanishme.

 

 

 

E ndërsa shohim një Elseid Hysaj që luan në nivele të larta me Napolin, apo Mavraj në Bundesligë e Agolli në Azerbajxhan dhe në Ligën e Kampionëve, për fat të keq, asnjëri prej tyre nuk ka për “zanat” golin.

Në katërkëndësh, Shqipëria ka të ardhme të garantuar me dy portierë që po tregojnë vlerat në elitën e futbollit italian. Një siguri e shtuar për Kombëtaren në dekadën pasardhëse. Mirëpo, paradoksi qëndron te… goli. Momentalisht, sulmi i kuqezinjve është në hije. Ata që kanë barrën e shënimit të golave, nuk janë protagonistë.

SULMI – Sadiku luan në Poloni dhe së fundmi nuk i është dhënë mjaftueshëm hapësirë për të qenë protagonist. Balajn dëmtimet nuk e kanë lënë që të tregojë vlerat këtë sezon, e po ashtu edhe Cikalleshi në Turqi ka qenë i pafat. Ndërsa Grezda po jep shkëndija shpërthimi me Osijekun me asistet dhe golat nuk mjafton, edhe pse është i vetmi që “e kalon klasën”.

Odise Roshi, megjithëse është gjithmonë protagonist me kombëtaren, me grintën që tregon ne çdo rast, luan në Rusi dhe niveli i atjeshëm nuk i jep mundësinë që të reklamohet mjaftueshëm. Asdren Llullaku, nga golat me thes në Rumani, është transferuar në Kazakistan, ku duket qartësisht që nuk përshtatet me karakteristikat e tij.

“NJERIU GOL” – Për sa kohë sulmi nuk është shpërthyes, atëherë lind nevoja që të kthehet vëmendja te mesfusha. Mirëpo, nëse Xhaka e Basha janë titullarë të padiskutueshëm, Memushaj apo Qaka që janë më pranë portës kundërshtare për tiparet dhe karakteristikat që kanë, nuk po tregojnë kaq shumë vlera në fushë sa herë iu përmendet emri gjatë kësaj merkatoje.

Për sa kohë prapavija garanton stabilitet dhe mesfusha qëndrueshmëri e harmoni në një ndeshje, trajneri Panuçi duhet të zgjidhë problemin e golit. Përpara se kuqezinjtë të nisin edicionet kualifikuese drejt “Euro 2020”, trajneri duhet të… shpikë “njeriun gol”, problemi thelbësor për ecurinë pozitive të skuadrës.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *