Efektet Panucci, ja si po ndryshon kombëtarja shqiptare

Ishte e paralajmëruar, “epoka e Panuccit” do të fillonte në ndeshjen kundër Norvegjisë. Më 26 mars, në stadiumin “Elbasan Arena” do të jetë Shqipëria e tij. Tekniku italian ka publikuar dhe listën përfundimtare të Shqipërisë për takimin kundër skandinavëve. Panucci vjen me risi të bukura, pasi afron për herë të parë disa futbollistë dhe largon përfundimisht disa të tjerë. Kurrë mos thuaj kurrë, por mosha e tyre e madhe i penalizon që të jenë në orbitën e Kombëtares.

Largimet – Panucci i mbylli ciklin e kombëtares për Migjen Bashën dhe Blerim Kukelin. Të dy nuk u ftuan për këtë sfidë miqësore. Mungesa e kapitenit Ansi Agolli ja vlen të përmendet. Futbollisti nuk është i dëmtuar, pasi luajti para dy ditësh me skuadrën e tij. Agolli duket se do të jetë jashtë radarëve të Panuccit. Azdren Llullaku ishte një emër tjetër që mbeti jashtë listës. Ergys Kaçe dhe Shkëlzen Gashi vazhdojnë të jenë jashtë radarëve të Kombëtares.

Afrimet – Panucci afroi për herë të parë në Kombëtare Herdi Prengën, Bujar Likën, Kristal Abazajn dhe Enis Gavazajn. Këto emra janë afrimet e reja të Shqipërisë. Prenga përfitoi nga dëmtimi i mbrojtësit Frederic Veseli. 23-vjeçari luan prej disa vitesh në kampionatin kroat. Aiështë pjesë e Inter Zapresic-it këtë sezon me 7 ndeshje si titullar. Prenga nuk është një emër i ri, pasi ka qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të Shqipërisë.

Emri që çuditi më shumë Bujar Lika. Shumë prej jush mund ta dëgjojnë për herë të parë lojtarin 25-vjeçar. Lika është 25-vjeç dhe luan në kampionatin zviceran. Ai është pjesë e skuadrës së Grasshopper-it. Shqiptari kaloi në janarin e këtij viti nga kategoria e dytë zvicerane në Superligën e Zvicrës duke u kthyer në titullar te Grasshopper. Ky është sezoni i tij i parë në elitën e futbollit zviceran, pasi më parë ka luajtur me FC Schaffhausen dhe Wohlen.

Më i lehtë është prezantimi i Kristal Abazajt dhe Enis Gavazajt. Të dy janë lojtarë të kampionatit shqiptar. I pari një emër që po spikat prej dy vitesh. Tropojani është pjesë e Luftëtarit, ndërsa ka firmosur në janar me Skënderbeun. Kombëtarja është një trampolinë shumë e mirë për të.
Gavazaj po rigjen formën e tij me skuadrën e Skënderbeut. Ai e ka marrë veten nga dëmtimet e rënda dhe ka gjetur vazhdimësi. Thirrja në Kombëtare duket dhe një shtysë për të për t’u rikthyer në arenën ndërkombëtare. Gavazaj dhe Abazaj kanë qenë pjesë e grupmoshave të Shqipërisë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*