Ekskluzive / Debutimi me Kombëtaren, Gavazaj tregon për emocionet e ftesës së Panuccit!

Enis Gavazaj është një nga lojtarët kryesore të Skënderbeut dhe në Superiore ka spikatur. Prezantimin me tifozët shqiptarë e ka bërë në një ndeshje të Shqipërisë U19 dhe i shënonte një gol shumë të bukur nga rreth 40 metra Belgjikës. Nga atëherë shumë gjera kanë ndryshuar. Sulmuesi anësor provoi një eksperiencë në Belgjikë, por dëmtimet e penalizuan shumë dhe për t’u rikthyer i fortë të duhen minuta.

Skënderbeu u pa si zgjidhja më e mirë dhe fillimi nuk ishte i lehtë për të. Me Andrea Agostinelin në krye të korçarëve për Gavazajn nuk pati shumë hapësira, por me ardhjen e Ilir Dajës si trajner te bardhekuqtë, situata ndryshoi dhe anësori është një nga lojtarët kryesorë të ekipit. Vazhdimësia e treguar në kampionat dhe në ndeshjet e Europës i ka hapur rrugën për të veshur tashmë fanellën kuqezi.

“Eduasportin.com” ka kontaktuar me Gavazajn dhe ai nuk i fsheh emocionet. Të luash me kombëtaren është diçka speciale dhe sulmuesi e thotë hapur: “Ndihem shumë mirë që jam ftuar nga Shqipëria. E prisja dhe shyqyr Zotit ia arrita. Arritja më e madhe për një futbollist është kombëtarja dhe normalisht që jam i emocionuar që erdhi kjo ditë”, thotë fillimisht 22-vjeçari. Christian Panucci ka ftuar sërish edhe Lilajn e Latifin, ndërkohë që nga Superiorja ka bindur edhe Kristal Abazaj. Për herë të parë edhe Herdi Prenga vesh fanellën kuqezi. Një mesazh për Superioren, por edhe për lojtarët e tjerë të Shpresave.” “Në kombëtare gjej edhe Latifin, me të cilin kam luajtur te Skënderbeu. Është diçka e mirë që edhe të tjerë të rinj janë bashkuar me ekipin për miqësoren me Norvegjinë. Me Herdi Prengën kam luajtur me Shpresat dhe është një lojtar i mirë, po ashtu edhe Abazaj po bën paraqitje shumë të mira në Superiore dhe të gjithë këtu e njohin. Kështu që në Kombëtare shkohet edhe nga Superiorja, pasi niveli këtu është rritur ndjeshëm. Do përpiqemi të tregojmë vlerat tona”, thotë Gavazaj.

Futbollisti i Skënderbeut sigurisht që do të dëshironte të transferohej në një kampionat më të fortë dhe kjo ftesë normalisht që është një plus për të, por nuk fluturon. Ai thekson se ka ende kohë deri në verë dhe se lëvizja e tij e radhës do të varet shumë nga paraqitjet e tij, qoftë me kombëtaren, qoftë me Skënderbeun. “Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë deri në verë. Duhet të tregojmë veten edhe me Skënderbeun dhe më pas të shohim. Do ketë kohë deri atëherë”, tha në mbyllje Gavazaj, që tashmë do të fokusohet “të flasë” në fushën e blertë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*