Ekubani bën ndërmjetësin, menaxheri shqiptar ftesë nga Leeds United

E mbani mend sulmuesin Caleb Ekuban? E kush se mban mend, tifozët e Partizanit e kanë në zemër dhe “qajnë” akoma mungesën e tij.
Ganezi kaloi nga ekipi i Partizanit te skuadra e Leeds United në Championshipin anglez, sigurisht, “demat” nuk përfituan asgjë, pasi kartonin e Ekubanit e kishte ekipi i Chievos. Superiorja shërbeu si trampolinë, por duket se paraqitjet e mira të Ekubanit me ekipin anglez i kanë hapur rrugë një bashkëpunimi tjetër ndërmjet anglezëve dhe Shqipërisë.

Menaxheri Elton Marini, i cili ndoqi nga afër lëvizjen e sulmuesit ganez në Shqipëri, por dhe në lëvizjen e 23-vjeçarit drejt Anglisë, duket se ka zgjeruar bashkëpunimin me klubin anglez. Eduasportin.com mëson se në drejtim të tij ka ardhur një ftesë bashkëpunimi. Ai ftohet të shkojë në Angli, në ambientet e klubit të Leeds dhe të takojë drejtorin e kësaj skuadre. Udhëtimi i tij nuk është për turizëm, pasi lëvizjet në merkato mbeten pika e tij kryesore.

Marini shpreson që të arrijë zgjerimin e bashkëpunimit me klubin e Kategorisë së Dytë angleze me qëllim dërgimin e ndonjë lojtari tjetër, por pse jo dhe huazimin e ndonjë lojtari të Leeds-it në kampionatin shqiptar. Huazimet kanë rezultuar të frytshme për Superioren, rasti i Ekubanit ishte sezonin e shkuar, ndërsa tani kemi shpërthimin e sulmuesit të Skënderbeut Ali Sowe.

Caleb Ekuban nuk ka qenë shumë me fat në sezonin e tij të parë te skuadra e Leeds United, pasi ka përjetuar disa dëmtime që e kanë mbajtur jashtë fushave për një kohë të gjatë. 23-vjeçari ka arritur të tregojë vlerat e tij të mira dhe drejtuesit e skuadrës kanë besim te ai. Ditën e djeshme, në transfertën kundër Reading (2-2) luajti si titullar dhe qëndroi 77-të minuta në fushën e lojës. Ai ka luajtur 12 ndeshje këtë sezon në kampionat, 6 i ka nisur si titullar, por nuk ka shënuar asnjë gol. Ganezi ka shënuar gol në Carbao Cup.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*