Mbarimi i një epoke, kë largon dhe afron Panucci në Kombëtare?

E tepërt të përdorim fjalën spastrime në Kombëtare, më e pranueshme është mbarimi i një epoke. Trajneri Christian Panucci ka bindur deri tani në krye të Shqipërisë. Ai mori një detyrë të vështirë pas largimit të Gianni De Biasit, pasi steka e pretendimeve është shumë lart tani. Shqiptarët duan kualifikimin në “Euro 2020”, me një short të favorshëm nuk kemi më frikë të ëndërrojmë.
Para se t’i nisemi lumit me këmbë, duhet të ndalemi pak dhe të mendojmë për ndryshimet që do të ndodhin në ekipin tonë Kombëtar. Italiani do të bëjë disa ndryshime të rëndësishme në ekipin Përfaqësues.

Të larguarit – I pari që do t’i japë fund aventurës me ekipin Kombëtar është kapiteni i skuadrës, Ansi Agolli. Mbrojtësi nuk ka rënë nga forma, por mosha e tij e penalizon. Agolli është 35 vjeç, ndërsa karriera e tij është në të perënduar. Kapiteni me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e skuadrës në vazhdim.
Një tjetër emër që rrezikon është Burim Kukeli. Mesfusha është e tejmbushur dhe ka shumë konkurrencë, pa harruar edhe moshën e tij të madhe. 34-vjeçari nuk po luan rregullisht as te skuadra e Sion-it.
Migjen Basha dhe Andi Lila janë dy futbollistët e tjerë që rrezikojnë. Mosha dhe rendimenti i tyre jo në nivelet e duhura mund të ndikojë për ecurinë me Kombëtaren.

Afrimet – Përveç Ivan Balliut, Hysen Memollës, Valon Ahmetit, Astrit Ajderevicit dhe Ylber Ramadanit që tashmë janë pjesë e orbitës së Kombëtares, Panucci mund të befasojë edhe me emrat e rinj. Duhet ndjekur me vëmendje zhvillimi i sulmuesit të Milanit, Ismet Sinanin dhe bashkëlojtari i tij Emir Murati. Nuk duhet harruar edhe “thyerja e tabusë” për Superligën shqiptare, Kristal Abazaj ja vlen të promovohet. Të shohim dhe të presim, kemi besim te Panucci.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*