“Qoka” në Kombëtare, Panuçi rikthen Manajn dhe injoron Abazajn me Gurin

Rei Manaj rikthehet në Kombëtare. Kish in kaluar afro 1 vit e gjysmë nga hera e fundit kur sulmuesi 21-vjeçar veshi fanellën kuqezi. Ishte ndeshja Shqipëri-Izrael (0-3) kur ai luajti 8 minuta në fund të ndeshjes dhe nga ai moment ka kaluar ulje-ngritje në karrierën e tij. Kristian Panuçi e ka ftuar për ndeshjen miqësore me Norvegjinë dhe lajmin e ka konfirmuar skuadra e Granadës përmes një postimi në sajtin zyrtar.

Ironia therëse: Ngjitur me lajmin e grumbullimit të Manajt te Shqipëria ishte lista e lojtarëve të Granadës që do të luajnë sot me Gimnastik dhe sulmuesi shqiptar mungon.

Çfarë ka bërë – Në këtë sezon të kampionatit spanjoll (Segunda Division) ai ka luajtur vetëm 342 minuta dhe ka shënuar 1 gol. Askush nuk i mohon vlerat që ka një lojtar si Manaj, i rritur tek Interi dhe me cilësi shumë të mira. Askush nuk e mohon faktin që një ditë mund të jetë ai e ardhmja e sulmit të Kombëtares shqiptare, por për momentin nuk është në formë.

Kristian Panuçi bën mirë që kërkon ta ndihmojë lojtarin në këtë moment të vështirë, ashtu siç ndihmoi Alijin kur nuk kishte skuadër. Dhe mbrojtësi pas aktivizimit me Kombëtaren, rastësisht… gjeti vend në Serinë B me Entelën.

Harrohet Superiorja – Çdo futbollist, përveç ëndrrave që ka për të fituar tituj të rëndësishëm në karrierë, dëshiron të luajë me kombëtaren e tij dhe në rastin konkret me Shqipërinë. Por çfarë mesazhi japin Kristian Panuçi dhe Federata Shqiptare e Futbollit në rastin kur injorojnë lojtarët, si Sidrit Guri dhe Kristal Abazaj.

I pari ka shënuar 8 gola dhe i dyti ka shënuar 7 në këtë sezon të Superiores. Problemi kryesor i Kombëtares është mungesa e lojtarëve vendas, por nga ajo që ndodh shihet se nuk është ky. Problem është injorimi që u bëhet futbollistëve që shkëlqejnë në Superiore.

Duhet ta bënte çështje “Panorama Sport” pak kohë më parë që edhe Sabjen Lilaj të merrte një ftesë nga trajneri Panuçi, ashtu siç këtë herë me të drejtë shtojmë pyetjet se çfarë duhet të bëjnë me Gurin, Abazajn apo ndonjë element tjetër që po shkëlqen në Superiore. Sigurisht që trajnerit nuk i kërkon askush që këta lojtarë të luajnë me Kombëtaren, por të paktën të kenë shansin të provojnë një grumbullim.

Gazeta mëson se Abazaj është grumbulluar nga Bushi në Kombëtaren U-21 dhe Panuçi mund ta përdorë si alibi, por historia ka treguar se është vepruar ndryshe edhe me futbollistët e U-21. Grumbullohen në Kombëtare dhe pastaj largohen te moshat ose anasjelltas.

Ashtu si Ramadani, Latifi, Ndoji dhe të tjerë. Por nëse trajneri kërkon t’i ndihmojë lojtarët shqiptarë si në rastin e Alijit, pse mos t’u japë një dorë edhe atyre që luajnë në Superiore për të bërë hapin e madh drejt kampionateve të huaja. Por kjo do të thotë se Kristian Panuçi zgjedh vetë cilin të ndihmojë dhe cilin jo, një formë “qoke” që bëhet me fanellën kuqezi.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*