Urrejtja polake, ferrari Sadiku dhe Dembele i Barçës

Medieve polake nuk i del inati me sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku. Ish-lojtari i Legias “shpërtheu” pas huazimit nga ekipi polak në kampionatin spanjoll te ekipi i Levantes. Ai nuk e pranoi qëndrimin në stol dhe foli hapur pas largimit. “Të më mbash mua në stol është si të mbash një makinë Ferrari në garazh”, – kjo fjali e tillë është përfolur gjatë nga mediet polake, madje “inati” polak ndaj Sadikut nuk është shfryrë ende.

Një shkrim në mediet polake bën një krahasim ndërmjet deklaratave të Sadikut dhe Dembeles së Barcelonës. Lojtari i Barçës foli në lidhje me një krahasim të mundshëm të tij me sulmuesin e Kombëtares shqiptare. “A mund të të përshkruajmë me një Ferrari? Jo, është shumë herët. Unë mund të jem si kjo makinë, por jam ende te mekaniku. Le të shpresojmë se në fund do të arrij nivelin e një Ferrari plotësisht funksional. Unë dua do të bëhem një lojtar i madh një ditë. I gjithë klubi më mbështeti gjatë rehabilitimit, lojtarët u treguan të mirë me mua, stafi teknik po ashtu. Dua të mos zhgënjej ata dhe vetën time”, – u shpreh ai.

Media polake krahason deklaratën e sulmuesit të Barcelonës, Ousmane Dembele, me sulmuesin e Shqipërisë me një ironi të thekur, pasi nuk lënë pa përmendur dhe diferencat në shifrat e transferimit të ish-lojtarit të Borussia Dortmund në Katalunja për 105 milionë euro.

Sadiku ka kaluar te skuadra e Levantes dhe nuk e ka nisur si duhet aventurën e tij me ekipin spanjoll, pasi është goditur nga dëmtimet e njëpasnjëshme. Ai luajti vetëm një ndeshje si titullar atë kundër Espanyol-it dhe nuk e përfundoi takimin, pasi pati një përplasje të fortë me portierin Diego Lopes. Sadiku u detyruat linte fushën e blertë dhe të ndalej sërish në garazh. Elbasanasi ka luajtur 2 ndeshje deri tani me ekipin spanjoll dhe ka marrë 111 minuta.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*